Text Display Idea
LIGJ Nr. 33/2022 PËR TË DHËNAT E HAPURA DHE RIPËRDORIMIN E INFORMACIONIT TË SEKTORIT PUBLIK

Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për promovimin e përdorimit të të dhënave të hapura në Republikën e Shqipërisë me synim nxitjen e inovacionit në ofrimin e produkteve dhe të shërbimeve.

Objekti

Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave dhe procedurave për të drejtën e ripërdorimit të të dhënave të hapura për qëllime fitimi ose jo të dokumenteve që mbahen nga organet e sektorit publik ose sipërmarrjet publike në Republikën e Shqipërisë.

Fusha e zbatimit

Ky ligj zbatohet për ripërdorimin e:
a) dokumenteve ekzistuese që mbahen nga organet e sektorit publik;
b) dokumenteve ekzistuese që mbahen ngasipërmarrjet publike:
i. që kryejnë veprimtari sektoriale sipas ligjit për prokurimet publike në ofrimin e shërbimeve të interesit të përgjithshëm në sektorët e ujit, të energjetikës, të transportit dhe të shërbimeve postare;
ii. veprojnë si operatorë të shërbimeve të transportit publik, rrugor, ajror e detar;
c) të dhënave kërkimore, si: statistika, rezultate eksperimentesh, matje, vëzhgime që vijnë nga puna në terren, rezultate anketimesh, regjistrime intervistash e imazhe, duke përfshirë edhe të dhënat meta (metadata), specifikime dhe objekte të tjera digjitale në përputhje me parashikimet e nenit 13 të këtij ligji.

Kufizime

1. Ky ligj nuk zbatohet për dokumente:
a) ofrimi i të cilave është jashtë objektit të veprimtarisë së organit përkatës të sektorit publik;
b) të sipërmarrjeve publike të parashikuara në shkronjën “b” të nenit 3 të këtij ligji kur ato janë hartuar përtej objektit të ofrimit të shërbimit të interesit të përgjithshëm ose që nuk janë subjekt i rregullave të prokurimit sipas legjislacionit për prokurimin publik;
c) për të cilat palët e treta kanë të drejta të pronësisë intelektuale;
ç) që përmbajnë të dhëna sensitive, përfshirë edhe ato që përjashtohen për arsye të:
i. mbrojtjes së sigurisë kombëtare, të mbrojtjes ose të sigurisë publike;
ii. konfidencialitetit statistikor;
iii. konfidencialitetit të të dhënave tregtare ose profesionale të kompanive/shoqërive tregtare;
d) aksesi i të cilave është i përjashtuar apo i kufizuar për shkak të mbrojtjes së infrastrukturës kritike me të dhëna sensitive;
dh) aksesi i të cilave është i kufizuar sipas ligjit për të drejtën e informimit, përfshirë rastet ku qytetarët apo personat juridikë duhet të provojnë një interes të veçantë për të aksesuar dokumentet;
e) si: logo, stema ose shenja;
ë) aksesi i të cilave është i përjashtuar ose i kufizuar nga zbatimi i rregullave të aksesit për qëllim të mbrojtjes së të dhënave personale, si dhe pjesë të dokumenteve që përmbajnë të dhëna personale, ripërdorimi i të cilave nuk është në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale;
f) të Radiotelevizionit Publik Shqiptar (RTSH) dhe të institucioneve të varësisë së tij në kuadër të përmbushjes së funksionit të shërbimit të transmetimit publik;
g) të institucioneve kulturore, duke bërë përjashtim nga këto institucione bibliotekat, përfshirë bibliotekat universitare, muzetë dhe arkivat;
gj) të institucioneve të arsimit parauniversitar dhe institucioneve të arsimit të lartë;
h) që janë në zotërim të organizatave të cilat kryejnë kërkime shkencore dhe të organizatave të financimit të kërkimeve, përfshirë organizatat e themeluara për transferimin e rezultateve të kërkimeve, përveç atyre të përcaktuara në shkronjën “c” të nenit 3 të këtij ligji.