Kush quhet Koordinator i të Drejtës së Informimit dhe çfarë funksioni kryen ai?

Çdo autoritet publik cakton një prej nëpunësve të tij Koordinator të së Drejtës së Informimit me qëllim që të bashkërendojë punën brenda institucionit për zbatimin e ligjit “Për të drejtën e informimit”. Koordinatori i të drejtës së informimit është nëpunësi i specializuar në institucion që merret me trajtimin dhe kthimin e përgjigjeve të kërkesave për informim brenda afateve të caktuara ligjore.

Kompetencat kryesore që ushtron Koordinatori janë:

  • I mundëson çdo kërkuesi të drejtën për t’u njohur me informacionin publik, përmes konsultimit me dokumentin origjinal ose duke marrë një kopje të tij;
  • Krijon, mban, publikon dhe përditëson Rregjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve çdo 3 muaj;
  • Bashkërendon punën për plotësimin e kërkesave për informacione brenda afateve dhe sipas mënyrës së parashikuar në ligjin “Për të drejtën e informimit”;
  • Regjistron kërkesat për informacion dhe cakton një numër rendor për secilën prej tyre;
  • Dërgon kërkesën për informim tek një autoritet tjetër publik, jo më vonë se 10 ditë kalendarike nga data e dorëzimit të kërkesës, kur rezulton se autoriteti publik ku është depozituar kërkesa nuk e zotëron informacionin e kërkuar;
  • Verifikon rastet për dhënien falas të informacionit qytetarëve të rregjistruar në skemat e ndihmës shoqërore, si dhe subjektet përfitues të ligjit “Për ndihmën juridike”;
  • Kryen njoftimet paraprake për sqarimin e kërkesës për informim, si dhe komunikon me kërkuesin, sipas nevojës për trajtimin e kërkesës së tij.