Çfarë quhet Program Transparence?
Program transparence është dokumenti që përmbledh tërësinë e informacioneve që duhet të jepen në mënyrë aktive nga autoritetet publike pa kërkesë.
Programet e transparencës duhet të jenë krijuar në çdo autoritet publik që pas datës 6 maj 2015 dhe duhet të jenë publikuar në faqet e tyre të internetit.
Këto programe duhet të përmbajnë të dhënat e mëposhtme:
- Një përshkrim të strukturës organizative, funksioneve dhe detyrave të autoritetit publik;
- Tekstet e plota të konventave të ratifikuara, të ligjeve, të akteve nënligjore, të kodeve të sjelljes, të çdo dokumenti politikash, të manualit ose ndonjë dokument tjetër që ka lidhje me ushtrimin e funksioneve të autoritetit publik;
- Informacion për procedurat që duhen ndjekur për të bërë një kërkesë për informim, adresën postare dhe elektronike për depozitimin e kërkesave për informim, si dhe procedurat e ankimit të vendimit përkatës;
- Të dhëna për vendndodhjen e zyrave të autoritetit publik, orarin e punës, emrin dhe kontaktet e koordinatorit për të drejtën e informimit;
- Të dhëna për arsimin, kualifikimet dhe pagat e funksionarëve, të cilët kanë detyrimin për deklarimin e pasurisë, sipas ligjit, strukturat e pagave për nëpunësit e tjerë, si dhe një përshkrim të procedurave të zgjedhjes, kompetencave dhe detyrave të funksionarëve të lartë të autoritetit publik dhe procedurën që ata ndjekin për të marrë vendime;
- Mekanizmat monitorues dhe të kontrollit që veprojnë mbi autoritetin publik, përfshirë planet strategjike të punës, raportet e auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ose subjekte të tjera, si dhe dokumentet që përmbajnë tregues të performancës së autoritetit;
- Të dhëna për buxhetin dhe planin e shpenzimeve për vitin financiar në vijim dhe vitet e kaluara, si dhe çdo raport vjetor për zbatimin e buxhetit.
- Informacion për procedurat e prokurimit apo procedurat konkurruese të koncesionit/partneritetit publik privat, përkatësisht, sipas parashikimeve të ligjore në fushë, duke përfshirë:
a) listën e kontratave të lidhura;
b) shumën e kontraktuar;
c) palët kontraktuese dhe përshkrimin e shërbimeve apo mallrave të kontraktuara;
d) informacionin për zbatimin dhe monitorimin e kontratave, si dhe udhëzues e politika të ndryshme; - Informacion për shërbimet që autoriteti publik i jep publikut, përfshirë standardet për cilësinë e shërbimit;
- Çdo mekanizëm dhe procedurë për bërjen e kërkesave dhe ankesave, në lidhje me veprimet ose mosveprimet e autoritetit publik;
- Çdo mekanizëm apo procedurë, përmes së cilës personat e interesuar mund të paraqesin mendimet e tyre apo të ndikojnë në çfarëdo mënyrë tjetër në hartimin e ligjeve, të politikave publike apo ushtrimin e funksioneve të autoritetit publik;
- Një përshkrim të thjeshtë të sistemit që përdor autoriteti publik për mbajtjen e dokumentacionit, të llojeve, formave të dokumenteve, si dhe të kategorive të informacionit që bëhet publik pa kërkesë;
- Një kopje të përditësuar të Rregjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve;
- Një përshkrim të kategorive dhe formave të ndihmës shoqërore, subvencioneve të dhëna nga autoriteti publik dhe të procedurave për t’i përfituar ato;
- Informacione dhe dokumente që kërkohen shpesh;
- Çdo informacion tjetër që gjykohet i dobishëm nga autoriteti publik.